Historiku

Home / Historiku

Ndryshimet demokratike në Shqipëri shtruan para shoqërisë sonë kërkesa të reja, duke çelur edhe horizonte të rinj e të panjohur. Mes shumë të panjohurash u gjend edhe shkolla shqiptare, e cila duhej t’i përgjigjej në kohë urgjente ndryshimeve, madje duhej edhe t’i paraprinte atyre. Dhe së pari, duhej përgatitur infrastruktura ligjore në fushën e arsimit e kjo donte të thoshte: decentralizim dhe ndryshim rrënjësor i kurrikulës.

 Kjo mund të pranohej në nivelet qendrore, por ajo që përbënte ndoshta tabunë e kohës ishte arsimi privat, terren fare pak i njohur për shumë dekada të shkuara dhe aspak i konceptueshëm për sistemin politik që kishim lënë pas. Për të depërtuar në këtë terren të pashkelur, sigurisht që nevojitej shfrytëzimi i përvojave shqiptare e mbarëbotërore, dituria e specialistëve shqiptarë të arsimit dhe jo vetëm, për të përcaktuar piketat mbi të cilat do të hidhte shtat shkolla e re demokratike shqiptare dhe shkolla private gjithashtu, si mënyrë e re shkollimi, me vlera e cilësi.

Në këto momente, pa diskutim që kontributi i z.Tomor Arianiti, si njohës i mirë i kurrikulës shkollore, si pedagog që kishte kontribuar në formimin e brezave të tërë arsimtarësh, si një nxitës dhe dashamirës i arritjeve në arsim, nuk do të mungonte, madje do të spikaste. Ai i kishte paraprirë zhvillimeve arsimore me konceptimin e një shkolle private, me mënyrën e saj të funksionimit, me përgatitjen e kurrikulës së nevojshme, e cila do të reflektonte gjithashtu, tërë ndryshimet demokratike të momentit.

Ishte viti 1992 dhe ligji për arsimin shqiptar nuk ishte konceptuar e miratuar ende. U desh të vinte viti 1995 që Ligji Nr. 7952 për “Arsimin parauniversitar” t’i çelte rrugën ndryshimeve në shkollën shqiptare dhe të mundësonte krijimin e shkollave private. Meqenëse infrastruktura ligjore tashmë ishte prezente, duke respektuar edhe të gjitha afatet procedurale të nevojshme, shkolla jopublike “Arianiti” filloi funksionimin e saj në bazë të Urdhrit Nr. 130, datë 15 shtator 1997, si e para shkollë me kapital plotësisht shqiptar.

Fillimisht si një shkollë fillore me 2 klasa, 4 mësues e 18 nxënës, por me një besim të jashtëzakonshëm të atyre prindërve elbasanas që na besuan dritën e syve në ditët e vështira të vitit 1997.

Në vitet që pasuan, shkolla pësoi rritje të vlerësueshme në të gjitha aspektet. Vit pas viti, kjo sipërmarrje e zgjeroi gamën e shërbimit. Kështu, në vitin 1999 krijohet në Fier shkolla “Arianiti-Numani”, në vitin 2001 fillon aktivitetin  zgjerohet në shkollë 8-vjeçare, 2002 fillon funksionimin kopshti Arianiti dhe në 2008 shkolla e mesme.

Momenti më kulmor i kësaj historie zhvillimi është godina e shkollës, e ndërtuar gjatë vitit 2002. E konceptuar qysh në arkitekturë e ndërtim si një shkollë bashkëkohore, godina mësimore, objektivi kryesor i punës disa vjeçare, erdhi si një produkt pas shumë konsultimesh me arkitektë, inxhinierë e teknikë ndërtimi apo higjenistë. Për ndërtimin e saj u mbajtën parasysh parametrat bashkëkohorë në lidhje me format, ngjyrat, lartësitë, sasia e ajrit apo dritës për nxënës, ngrohja e centralizuar e komoditeti në tërësi i nxënësve dhe sot ne kemi një godinë dykatëshe, me një sipërfaqe prej 1.286m2, me 18 klasa mësimore, 4 laboratorë, e sallë shfaqjesh.

Më pas, në vitin 2008,  një tjetër investim i fuqishëm bëri të mundur ndërtimin e palestrës si një mjedis shtesë tepër i rëndësishëm për zhvillimin  normal të orëve të edukimit fizik, si një komponent i rëndësishëm e edukatës shkollore.

Baza materialo – didaktike e laboratorëve të informatikës së gjuhëve të huaja, biologji – kimisë, fizikës, përmirësimi i shërbimit të transportit me shtimin dhe të disa mjeteve transporti, të gjitha këto flasin për një investim serioz, i cili është vënë tërësisht në shërbim të një mësimdhënie cilësore.

Sot, pas 25 vitesh funksionim, Shkolla Jopublike Arianiti ka një staf të zgjeruar prej 26 mësuesësh të cilët shërbejnë në të tria ciklet e studimit, ciklin parashkollor, ciklin e mesëm të ulët dhe ciklin e mesëm të lartë, ku studiojnë gjithsej 130 nxënës.